Liria e shprehjes është e drejtë themelore dhe e garantuar nga mekanizma ligjorë ndërkombëtarë dhe vendorë.

11

Ligjet

Niveli ndërkombëtar
Artikulli 19 i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (KNDCP) shkruan se “secili duhet të ketë̈ të drejtën e lirisë̈ sё shprehjes”.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka pohuar se liria e shprehjes, siç garantohet në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “Përbën një nga bazat thelbësore të një shoqërie të tillë, një nga kushtet themelore për përparimin e tij dhe për zhvillimin e çdo njeriu.”
KNDCP ka vendosur kufizime mbi lirinë e shprehjes. Pika 3 e Artikullit 19 parasheh që “kur shprehemi, duhet të ruajmë reputacionin e të tjerëve; të mbrojmë sigurinë kombëtare, rendin publik, shëndetin dhe moralin publik”.

Niveli vendor
Liria e shprehjes sigurohet nga akti më i lartë juridik i shtetit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në Artikullin 40 të këtij dokumenti thuhet se “Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendim edhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.”
Megjithatë, pika 2 e Artikullit 40 parasheh “kufizim të lirisë së shprehjes me ligj në rastet kur ka nxitje dhe provokim të dhunës dhe armiqësi në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”.
Neni 141 i Kodit Penal shkruan se “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.”

Pse njerëzit përdorin gjuhën e urrejtjes?
Njerëzit përdorin gjuhë urrejtjeje për një larmi arsyesh. Ndonjëherë gjuha e urrejtjes është pasqyrim i bindjeve politike të një personi. Ndonjëherë është reflektim i neverisë për një grup njerëzish. Gjuha e urrejtjes mund të jetë gjithashtu një produkt i mungesës së njohurive, dijes dhe përvojës. Ndonjëherë për shkak që ata rriten dhe edukohen në një mjedis ku sharjet janë të zakonshme. Poashtu përdoruesit e gjuhës së urrjejtjes mund të mos jenë të njohur me anëtarët e një grupi të sulmuar.

Rregullimi i gjuhës që përdoret në internet
Sipas Ligjit nr. 04/L-109 pёr Komunikime Elektronike, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP është autoritet rregullator kombëtar në fushën e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare. Mirëpo ARKEP nuk ka mandat pёr mbikёqyrjen e asnjё lloj pёrmbajtje qё bartet nёpёrmjet rrjetit dhe/ose shёrbimeve tё komunikimeve elektronike. Prandaj është e domosdoshme që t’i zgjerohet mandati ARKEP-it për të pamundësuar qarkullimin e videove, imazheve, figurave, lojërave dhe web-faqet që përmbajnë gjuhë urrejtëse.

Ligjet